KDI: Deputetët vizitojnë pikën kufitare në Merdare, s’ka reciprocitet në zbatim të marrëveshjeve të dialogut

19/12/2017

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizoi vizitë në pikën kufitare në Merdare me deputetët e Kuvendit të Kosovës: Time Kadrijaj nga AAK, Saranda Bogujevci nga LVV dhe Fidan Rekali nga LDK për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjeve që ndërlidhen me dialogun Kosovë - Serbi. Më pas deputetët morën pjesë në një debat publik me qytetarët e Komunës së Podujevës në të cilën diskutuan rreth pritshmërive të tyre për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.
 
Gjatë vizitës në pikën kufitare në Merdare, deputetët e Kuvendit të Kosovës u informuan lidhur me gjendjen e përgjithshme në këtë pikë kufitare, zbatimin e marrëveshjes së IBM-së si dhe sfidat dhe problemet në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Disa nga shqetësimet të cilat u ngritën nga komandanti i policisë në këtë pikë kufitare, Sefat Gashi ishin mungesa e infrastrukturës adekuate për të përballuar fluksin e madh të qytetarëve të cilët kalojnë në këtë pikë, çështja e mosnjohjes së dokumenteve të Republikës së Kosovës nga ana e palës serbe, mosnjohjes së targave të veturave nga pala e Serbisë si dhe mosanëtarësimi i Kosovës në Kartonin e gjelbër, të cilat po krijojnë pritje të gjata.

Pas vizitës në pikën kufitare në Merdare, KDI organizoi debat publik me qytetarët e këtij rajoni në të cilin u diskutua e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi si dhe këndvështrimi i qytetarëve lidhur me këtë proces.

Kjo vizitë u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës